Këshillat e mjekëve në rast helmimi në verë

Author

Categories

Share

Helmimi i ushqimit zakonisht ndodh kur patogjenet ndotin ushqimin ose ujin e pijshëm, dhe rreziku më i lartë për t’u prekur nga helmimi, është pikërisht tani në stinën e verës. Simptomat e para, të helmimit nga ushqimi, janë të vjellat, diare e dhimbje stomaku.

Por si mund ta marrim veten pas një helmimi pa shkuar tek mjeku?

Vjellja dhe diarreja mund të shkaktojnë dehidrim, ndaj rekomandohet, që të konsumoni sa më shumë ujë të mundeni, pasi ta keni lënë stomakun tuaj bosh për disa orë.  Përsa i përket ushqimit, duhet të konsumoni ushqime ‘të buta’ të tilla si banane, drithëra e bardha e vezës, mjaltë, patate duke përfshirë këtu purenë e patateve si dhe orizin. Gjatë një helmimi me ushqim, është e rëndësishme që trupi juaj të ndjekë reagimin e tij natyral për t’u vetëpastruar nga bakteret e dëmshme, që kanë mbetur në organizëm. Por helmimi, nuk shkakton shqetësime vetëm në stomak, dhe nëse nuk tregoheni të kujdesshëm, mund të dëmtoni dhe pjesë të tjera të trupit si, smalti i dhëmbëve. Acidi i stomakut, i shkaktuar gjatë të vjellave, mund të dëmtojë smaltin në dhëmbët tuaj nëse ju i pastroni menjëherë ato pasi keni vjellë. Në të tilla raste, rekomandohet që të vononi procesin e larjes së dhëmbëve sa më shumë, dhe nëse ju bezdis shija e pakëndshme e gojës pasi keni vjellë, në vend të kësaj, mund ta shpëlani gojën, duke përzier ujin me sodën e bukës.

Por cilat ushqime dhe pije duhet të shmangim?

Trupi juaj pas helmimit, është shumë i dobët, ndaj duhet të keni kujdes që të shmangni një rrezik të mundshëm për t’u helmuar sërish. Prioriteti juaj numër 1 duhet të jetë, shmangia e ushqimeve që ju kanë shkaktuar helmimin. Shmangni ushqimet, pijet dhe substancat që janë të vështira për tu tretur në stomak, të tilla si, alkooli, kafeina (pije energjike ose kafe), ushqimet me erëza, ushqime të larta në fibra, produktet e qumështit, ushqimet e skuqura si dhe të shmangni konsumimin e duhanit.

Shërimi nga helmimi

Shërimi nga helmimi si pasojë e ushqimit të kontaminuar zgjat 2 deri në 5 ditë, gjithnjë duke patur parasysh ushqimin që duhet konsumuar gjatë kësaj periudhe. Më poshtë gjeni listën më të mirë të mundshme të ushqimeve që duhet t’i konsumoni, si dhe ato që nuk duhet në asnjë mënyrë t’i konsumoni gjatë kësaj periudhe.

Bananet

Ky frut i mrekullueshëm është shumë lehtë i tretshëm si pasojë e butësisë së saj. Ato janë gjithashtu të pasura me potas, të cilin trupi e humb së bashku me shumë vlera tjera ushqyese kur keni diare konstante.

Orizi

Është ushqim shumë i mirë për stomakun tuaj dhe rekomandohet për ata që vuajnë shpesh nga diarea.

Bukë e thekur

Ushqimi i përkryer për periudhën pas helmimit nga ushqimi është edhe tosti i thatë (buka e thekur), për shkak se stomaku juaj është shumë i ndjeshëm ndërsa ky ushqim është shumë qetësues, dhe si pasojë, nuk e irriton fare organizmin tuaj.

Uji

Është shumë normale që pas helmimit me ushqim, shumë gjëra, përfshi edhe ujin, ju bëjnë që të villni. Nëse ndodh kjo, sigurohuni që të konsumoni lëngje në forma tjera, si për shembull, kuba akulli dhe çaj, si dhe lëngje tjera me elektrolite, siç është lëngu i mollës apo pijet sportive. Shmangni produktet e qumështit, alkoolin kafenë dhe frutat tjera, përveç bananes. Shmangni të gjitha ushqimet me yndyrë dhe ato me erëza.

Author

Share