OBSH: Rikthehet fruthi në 4 vende evropiane, mes tyre edhe Shqipëria!

Author

Categories

Share

Fruthi është rikthyer në katër vende evropiane që më parë merreshin si shembull për mungesën e kësaj sëmundje. Sipas publikimeve të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) sëmundja nuk konsiderohet më e çrrënjosur në Shqipëri, Republikën Çeke, Greqi dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Kate O’Brien nga Departamenti i Imunizimit i OBSH tha:

“Jemi duke bërë lëvizje mbrapa, ne jemi në rrugën e gabuar”.

Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse dhe mund të ketë pasoja fatale, me simptoma si kollitja, skuqja dhe ethet. Sëmundja mund të parandalohet përmes dy dozave të vaksinës MMR, e cila është në dispozicion falas për të gjithë fëmijët e vegjël në Mbretërinë e Bashkuar.  Vendet deklarohen pa fruth kur nuk ka një transmetim endemik për 12 muaj në një zonë specifike gjeografike. Zonja O’Brien u shpreh se të katër vendet evropiane që kanë humbur statusin e tyre të zhdukjes së sëmundjes, kanë një mbulim vaksinimi “jashtëzakonisht të lartë”. “Kjo është zilja e alarmit që po bie në të gjithë botën, të qenurit në gjendje të arrish një mbulim të lartë kombëtar nuk është më e mjaftueshme për zhdukjen e fruthit, kjo duhet të arrihet në çdo komunitet, dhe çdo familje për çdo fëmijë”, tha ajo. Ekspertët shëndetësorë paralajmërojnë se gënjeshtrat në lidhje me vaksinën e fruthit kanë lejuar që sëmundja të përhapet në zona ose komunitete të caktuara.

Vaksina e fruthit

Situata e fruthit në Shqipëri duket të jetë përmirësuar ndjeshëm krahasuar me fillimin e këtij viti ku u shënuan qindra fëmijë të prekur. Por ekspertë të Institutit të Shëndetit publik shprehin shqetësim me uljen e mbulesës vaksinale kryesisht në Tiranë pasi shumë prindër të cilët refuzojnë vaksinimin e fëmijës pa marrë në konsideratë riskun që merr përsipër nëse fëmija preket nga fruthi që në mos humbje jete, i shkakton verbëri apo shurdhëri. “Kaq qytete që kemi, 0 raste. Është reduktuar numri në mënyrë drastike, por duhet rritur mbulesa vaksinale në Tiranë shprehen ekspertët. Për të rritur mbulesën vaksinale , autoritetet shëndetësore deklarojnë se do të jetë strikt me drejtuesit e shkollave, kopshteve dhe çerdheve të cilët nuk duhet të pranojnë asnjë fëmijë nëse nuk kanë dorëzuar kartelën e vaksinave. “Asnjë fëmijë nuk do të pranohetnë shkollë këtë vit nëse nuk bëjn të gjithë kalendarin e vaksinimit pasi jo vetëm mbrojn veten, por edhe fëmijët të cilët për arsye shëndetësore nuk mund ta bëjnë vaksinën’, thonë ekspertët. Ata shpjegojnë se ky proces do të monitorohet në mënyrë rigoroze dhe për drejtuesit që shkelin ligjin do të ndëshkohen me gjobë. Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive u tërheq vëmendjen edhe institucioneve private të cilët sipas saj një vit më parë nuk e kanë respektuar këtë ligj.

Kush është më i rrezikuar nga fruthi?

Numri i të sëmurëve me fruth ka patur rënie në dekadat e fundit, por sëmundja nuk është eliminuar plotësisht, për shkak të hendeqeve të krijuara nga mosvaksinimi. Fruthi prek kryesisht fëmijët e pavaksinuar. Disa prindër kanë zgjedhur të mos i vaksinojnë fëmijët e tyre, apo të shtyjnë vaksinimin nga frika e efekteve anësore. Studimet e shumta tregojnë që vaksinat janë shumë të sigurta dhe shumica e fëmijëve dhe të rriturve të vaksinuar nuk kanë shfaqur efekte anësore.

Cilat janë ndërlikimet e fruthit?

Fruthi mund të bëhet një sëmundje serioze për të gjithë grup-moshat. Megjithatë, fëmijët më të vegjël se 5 vjeç dhe të rriturit mbi 20 vjeç mund të shfaqin ndërlikime më të rënda të kësaj sëmundje. Ndërlikim i zakonshëm i fruthit është infeksioni i veshit. Ky ndërlikim prek 1 në 10 fëmijë me fruth dhe mund të shkaktojë humbje të përhershme të dëgjimit.

Disa persona mund të shfaqin ndërlikime të rënda të fruthit si

Pneumonia (infeksion i mushkërisë) apo encefaliti (infeksioni i trurit). Këto ndërlikime kërkojnë trajtim të specializuar në spitale dhe mund të shkaktojë vdekjen, pavarësisht trajtimit intensiv. 1 në 20 fëmijë me fruth shfaqin pneumoni dhe ky është shkaku më i shpeshtë i vdekjes nga fruthi te fëmijët.

1 në 1000 fëmijë zhvillon encefalit, që mund të shkaktojë konvulsione dhe mund të çojë në vdekje apo
pa’aftësi intelektuale të mëvonshme.

Ndodhin 1-2 vdekje, për çdo 1000 njerëz të sëmurë me fruth.

Fruthi tek gratë shtatzëna shkakton lindje parakohe, bebe me peshë të vogël në lindje apo defekte të lindura të fetusit.

Si mund të parandalojmë fruthin?

Vaksinimi është mënyra e vetme për të parandaluar shpërthimin e fruthit. Vaksina MMR (Fruth-Rubeole- Parotit) është një vaksinë që e mbron fëmijën tuaj nga tre sëmundje njëherësh. Fëmijët e marrin vaksinën e parë të fruthit në moshën 1 vjeç, dhe dozën e dytë të saj në moshën 5 vjeç. Të rriturit të cilët nuk janë vaksinuar asnjëherë ndaj fruthit, apo kanë marrë vetëm një doze vaksinë gjatë jetës, mund ta bëjnë këtë vaksinë pranë qëndrave shëndetësore përkatëse.

Këshilla nga Instituti i Shëndetit Publik:

Të evitohen përqendrimet në urgjencën pediatrike të QSUT. Jemi në sezon virozash dhe çdo ekspozim i panevojshëm rrit mundësinë edhe për t’u infektuar nga fruthi. Për çdo shqetësim drejtohuni në qëndrat shëndetësore pranë zonës tuaj dhe kontaktoni mjekun pediatër ose mjekun e familjes.

Author

Share