Virusi i Nilit perëndimor, shkaqet, simptomat dhe parandalimi

Author

Categories

Share

Virusi i Nilit perëndimor mund të shkaktojë sëmundje fatale neurologjike tek njerëzit. Megjithëse, përafërsisht 80% e njerëzve që janë të infektuar nuk tregojnë asnjë simptomë. Virusi i Nilit perëndimor transmetohet tek njerëzit kryesisht nëpërmjet pickimit të mushkonjave. Virusi mund të shkaktojë sëmundje të rënda dhe ngordhje tek kuajt.

Shpërthimet e virusit

Virusi i Nilit Perëndimor (V.N.P) u izolua për herë të parë tek një grua në qarkun e Nilit Perëndimor në Ugandë, në vitin 1937. Ai u identifikua tek zogjtë (si gjeli dhe pëllumbat) në rajonin e deltës së Nilit më 1953. Para vitit 1997, V.N.P nuk konsiderohej patogjene për zogjtë, por në atë kohë në Izrael shkaktoi vdekjen e llojeve të ndryshme të shpendëve që paraqitnin shenja të encefalitit dhe paralizës. Infeksionet njerëzore që i atribuohen V.N.P janë raportuar në shumë vende të botës prej më shumë se 50 vitesh. Në vitin 1999, një V.N.P që qarkullonte në Izrael dhe Tunizi u importua në Nju Jork duke prodhuar një shpërthim të madh dhe dramatik që u përhap në të gjithë shtetet kontinentale të Amerikës (SHBA) në vitet në vijim. Shpërthimi i V.N.P-së në SHBA (1999-2010) theksoi se importimi dhe krijimi i patogjenëve të mbartur nga vektorë jashtë habitatit të tyre të tanishëm përbëjnë rrezik serioz për botën. Shpërthimet më të mëdha ndodhën në Greqi, Izrael, Rumani, Rusi e SHBA. Vendet e shpërthimit janë rrugët kryesore migratore të zogjve. Në versionin e tij origjinal, V.N.P ishte mbizotërues në të gjithë Afrikën, pjesë të Evropës, Lindjen e Mesme, Azinë Perëndimore dhe Australi. Që nga futja e tij në vitin 1999 në SHBA, virusi është përhapur nga Kanadaja deri në Venezuelë.

Si transmetohet infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor?

Infeksioni tek njeriu është kryesisht rezultat i pickimeve nga mushkonjat e infektuara, të cilat infektohen kur ushqehen me zogj të infektuar. Virusi qëndron në natyrë nëpërmjet një cikli transmetimi mushkonja-zogj-mushkonja. Zogjtë janë rezervuarët bartës të virusit. Kuajt, njësoj si njerëzit, janë bartës “të vdekur”, që do të thotë se, ndërsa ata infektohen, nuk e përhapin direkt infeksionin. Deri më sot, nuk ka ndodhur asnjë transmetim i virusit nga njeriu tek njeriu përmes kontaktit rastësor, dhe nuk është raportuar asnjë transmetim i virusit të Nilit Perëndimor tek punonjësit e kujdesit shëndetësor kur janë zbatuar masa parandaluese standarte të kontrollit të infeksionit.

Humbën jetën dy persona në Greqi

Rikthehet virusi i Nilit Perëndimor në Greqi. Dy persona që ishin prekur nga ky virus raportohen se. kanë humbur jetën, teksa 25 të tjerë janë infektuar. Lajmi bëhet i ditur nga Qëndra e Parandalimit të Sëmundjeve Infektive në Athinë. Dy viktimat ishin mbi 80 vjeç. Ky është viti i tretë që ky virus shkakton të vdekur në Greqi. Zonat ku janë regjistruar rastet me këtë virus janë prefekturat e Pierisë, Katerinës dhe Pelles pranë Selanikut , Ksanthit ,Kavallës, Larisës si dhe Atikës Lindore. Sipas specialistëve, parashikimi është që numri i rasteve tek të prekurit gjatë sezonit të verës rritet, ndaj edhe ata këshillojnë qytetarët të marrin masat e duhura.

Çfarë shenja ka infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor?

Infeksioni me virusin e Nilit Perëndimor është pa shenja në rreth 80% të njerëzve të infektuar. Vetëm rreth 20% e njerëzve të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor zhvillojnë sëmundjen.

Kur shfaqen shenjat ato përfshijnë: ethe, dhimbje koke, lodhje, dhimbje trupore, të përziera, të vjella, herë pas here skuqje të lëkurës dhe fryrje të gjëndrave limfatike.

Shenjat e sëmundjes së rëndë (si encefaliti, meningiti ose poliomieliti i Nilit Perëndimor përfshijnë: dhimbje koke, temperaturë e lartë, ngurtësim të qafës, mpirje, çorientim, gjendje kome, dridhje, konvulsione, dobësi muskulore dhe paraliza. Forma të rënda të sëmundjes mund të shfaqen tek njerëzit e çdo moshe, por personat mbi moshën 50 vjeç dhe personat me imunitet të ulët janë më të rrezikuar. Periudha e inkubacionit është zakonisht 3 ditë deri në 14 ditë.

Si vendoset diagnoza?

Virusi i Nilit Perëndimor mund të diagnostikohet me një sërë testesh duke analizuar lëngjet e trurit dhe të palcës së kurrizit, si edhe mostrat e serumit të marra nga pacientët e infektuar nga virusi i Nilit Perëndimor, në periudhën kur paraqesin shenja klinike.

Si trajtohet?

Nuk ka trajtim specifik për pacientët me sëmundjen që prek sistemin nervor, shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Trajtimi është vetëm mbështetës.

Si parandalohet?

Kufizimi i rrezikut të infektimit tek njerëzit

Në mungesë të një vaksine, e vetmja mënyrë për të zvogëluar infektimin e njerëzve është rritja e ndërgjegjësimit mbi faktorët e rrezikut, dhe edukimi i njerëzve për masat që duhet të ndërmarrin për të zvogëluar ekspozimin ndaj virusit.

Kontrolli i mushkonjave

Parandalimi efektiv i infeksionit nga virusi i Nilit Perëndimor tek njeriu varet nga programet e kontrollit të integruar të mushkonjave në zonat ku ndeshet virusi.

Parandalimi i infeksionit në mjediset e kujdesit shëndetësor

Punonjësit e kujdesit shëndetësor që kujdesen për pacientët që dyshohet ose që konfirmohet se kanë infeksion të virusit të Nilit Perëndimor, ose që trajtojnë mostra prej tyre, duhet të zbatojnë masat paraprake të kontrollit të infeksionit.

Parandalimi i transmetimit të virusit në kuaj

Meqenëse shpërthimet e virusit të Nilit Perëndimor në kafshë i paraprijnë infektimit të rasteve në njerëz, krijimi i një sistemi mbikëqyrës të shëndetit të kafshëve për zbulimin e rasteve të reja në zogj dhe kuaj, është thelbësor për paralajmërimin e hershëm të autoriteteve të shëndetit publik dhe veterinar.

Disa masa për t’u mbrojtur nga mushkonjat

Zbrazni enët me ujë të ndenjur
Mos lejoni që bodrumet e ndërtesave të mbushen me ujë
Mos lini lodrat që mbajnë ujë në mjediset e jashtme
Zbrazni sa më shpejt ujin nga pjatat e vazove të luleve
Vendosni rrjeta në dritare
Mbani pastër shatërvanet dhe pishinat
Vishni rroba që t’iu mbulojnë sa më tepër, të lehta dhe ngjyra të çelëta, kur jeni në mjedise të hapura
Kur shkoni në ekskursion ose kur ekspozoheni me orë të gjata në natyrë, përdorni sprai ose krem mbrojtës kundër mushkonjave.

Parandalimi i pickimeve nga mushkonjat

Disa këshilla për të parandaluar pickimin nga mushkonjat:
* Përdorni preparate kundër pickimit të mushkonjave
* Përdorni veshje që t’iu mbulojnë sa më tepër
* Shmangni aromat që i tërheqin mushkonjat
* Zbrazni mbajtësit me ujë të ndenjur

ISHP vazhdon fushatën e sensibilizimit nëpërmjet specialistëve të sektorit të vektorëve, duke informuar qytetarët “derë me derë”, për masat që duhen marrë për t’u mbrojtur nga mushkonjat, si transmetuese të infeksionit të virusit të Nilit Perëndimor, shenjat e sëmundjes, etj. Por, Instituti i Shëndetit Publik, rikonfirmon se aktualisht në Shqipëri nuk ka asnjë rast të shfaqjes së virusit të Ethes së Nilit Perëndimor. Në çdo rast, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe institucionëve përgjegjëse në varësi të saj, janë marrë të gjitha masat për monitorimin dhe ndjekjen e çdo rasti të dyshuar të këtij virusi, i cili është përhapur aktualisht edhe në Europë.

Author

Share