Cilat janë vlerat normale të gjakut

Author

Categories

Share

Pavarësisht nëse keni frikë nga gjilpërat ose dhënia e gjakut, vizita në laborator është e domosdoshme për diagnostikimin e cilësdo sëmundje. Analizat e gjakut tregojnë nëse organizmi është i shëndoshë, nëse ekziston ndonjë proces inflamator, apo ekziston ndonjë sëmundje.

Që të mos pyetni se çfarë kuptimi kanë shkurtesat e pakuptueshme afër numrave në letrën të cilën ua jep laboranti, ju këshillojmë të lexoni në mënyrë të kujdesshme tekstin e të mësoni për vlerat referente të pasqyrës së përgjithshme të gjakut dhe për formulën leukocitare që tregon numrin e leukociteve- qeliza të rëndësishme të mbrojtjes së organizmit.

Pasqyra e plotë e gjakut

Pasqyra e plotë e gjakut është analizë themelore laboratorike e gjakut, e cila bëhet për vlerësimin e përgjithshëm të gjëndjes shëndetësore dhe për zbulimin e çrregullimeve të ndryshme, siç është anemia, infeksioni, sëmundjet virusale, gjendjen e ushqyerjes së organizmit dhe ekspozimin ndaj materieve toksike. Me këtë analizë të gjakut krijohet një pasqyrë e numrit dhe kualitetit të eritrociteve, trombociteve dhe leukociteve.

Eritrocitet
Rruazat e kuqe të gjakut janë qelizat të cilat përmbajnë hemoglobinën dhe bartin oksigjenin dhe dioksidin e karbonit në organizëm.

Vlerat referente
M 4,5-6,3 x 10 në 12/l
F 4,2-5,4 x 10 në 12/l

Leukocitet

Qelizat e bardha të gjakut prodhohen në palcën kockore dhe kanë rol në mbrojtjen e organizmit nga infeksionet, leukocitet  kanë funksion të veçantë, që shihet në formulën leukocitare, e cila realizohet nga pasqyra e gjakut, ndërsa realizimi i saj rekomandohet si shtesë e domosdoshme e cila plotëson të dhënat për gjëndjen e organizmit.

Vlerat referente: 4-10 x 10 në 9/l
Rritja e numrit të leukociteve: infeksion bakteror
Zvogëlim i numrit të leukociteve: sëmundje virusale, te hemoterapia, tek marrja e disa barnave.

Hemoglobina

Hemoglobina është përbërës i eritrociteve dhe paraqet kompleks proteinik, i cili  bart oksigjenin nga mushkëritë ne inde dhe dioksidin e karbonit në drejtim të kundërt nga indet në mushkëri.

Vlerat referente:
M 140-180 g/l
F 120-160 g /l

Hematokriti
Hematokriti paraqet vëllimin e eritrociteve në njësi të gjakut.

Vlerat referente:
M 0,40-0,50 L/l
F 0,35-0,48 L/l

Rritja e vlerave të hematokritit: policitemia, sëmundje e rrallë shkaktari i të cilës nuk është i njohur, ndërsa paraqitet tek personat e moshuar.

Trombocitet
Trombocitet janë pllakëzat e gjakut, të cilat kanë rol në hemostazë  dhe në koagulimin e gjakut

Vlerat referente: 150-400 x 10 në 9/l
Rritja e numrit të trombociteve: tromboza (koagulimi spontan i gjakut)
Zvogëlimi i numrit të trombociteve: sëmundjet autoimune, gjakderdhjet e imta spontane, te marrja e citostatikëve, pas transfuzionit të gjakut.

Sedimentimi

Sedimentimi i eritrociteve nuk bën pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në pasqyrën komplete të gjakut, por rekomandohet dhe kryesisht përcaktohet gjatë analizave hematologjike, sepse tregon për mundësinë e ekzistimit të ndonjë sëmundjeje dhe përcaktohet pothuajse tek të gjitha sëmundjet. Kjo vlerë paraqet shpejtësinë me të cilën eritrocitet shtresohen në fundin e epruvetës së vendosur në mënyrë vertikale. Shpejtësi normale e SE përjashton mundësinë e ekzistimit të sëmundjes.

Vlerat referente:
M (20-50 vjeç) 3-13 mm/h 
M (mbi 50 vjeç) 2-23 mm/h 
F ( 20-50 vjeç) 4-24 mm/h
F (mbi 50 vjeç) 5-28 mm/h

Formula leukocitare

Formula leukocitare, pasqyra diferenciale e gjakut, nënkupton numrin e grupeve të veçanta të leukociteve. Për një analizë të mirë laboratorike, është e domosdoshme të përcaktohet formula leukocitare së bashku me pasqyrën e gjakut. Ekzistojnë tri grupe kryesore të leukociteve, granulocitet (neutrofilet, bazofilet dhe eozinofilet), monocitet dhe limfocitet.

Neutrofilet 
Neutrofilet së bashku me monocitet paraqesin bazën e sistemit mbrojtës të organizmit.

Vlerat referente: 

40 – 75%
Rritja e numrit të neutrofileve, infeksionet bakterore, traumat, djegiet, inflamacionet, infarkti janë të rritura tek leukemia dhe sëmundjet e përhapura malinje.

Limfocitet

Limfocitet prodhojnë antitrupa dhe bëjnë pjesë në mbrojtjen kundër viruseve.

Vlerat referente:

 20-45%
Rritja e numrit të limfociteve: Infeksionet virusale (virusi Epstein Bar, Citomegalovirusi, rubeola), toksoplazmoza, bruceloza.
Zvogëlimi i numrit të limfociteve: Tek mjekimi me kortikosteroide, infiltrimi i palcës kockore, AIDS-i, gjatë radioterapisë dhe hemoterapisë.

Eozinofilet

Eozinofilet marrin pjesë në mbrojtjen nga agjentët alergjikë dhe infeksionet parazitare.

Vlerat referente:

2-4%
Rritja e numrit të eozinofileve: astma, alergjitë, urtikaria, ekzemat, rrezatimi, gjatë rikuperimit nga infeksionet. Eozinofilia është sindromë e cila karakterizohet me dhimbje në muskuj dhe nyje, rritje të temperaturës, ekzantemë në lëkurë, ënjtje të duarve dhe eozinofili.

Monocitet

Monocitet janë qelizat më të mëdha të gjakut dhe funksioni kryesor i tyre është fagocitoza (veprojnë si gëlltitës të qelizave të vdekura).

Vlerat referente: 

2-10%
Rritja e numrit të monociteve: Infeksionet akute dhe kronike, sëmundjet malinje.

Bazofilet

Bazofilet përbëjnë populacionin më pak të shprehur të leukociteve, të cilat marrin pjesë në përgjigjen alergjike të organizmit.

Author

Share