Kequshqyerja fenomen shumë i përhapur në Shqipëri, këshilla nga ekspertët e shëndetit

Author

Categories

Share

Kequshqyerja është  fenomen që është shumë i përhapur në Shqipëri ku njerëzit kanë mungesë të vitaminave, mineraleve apo karbohidrateve në sasinë e duhur.

Ndikimi i rëndë tek fëmijët

Periudha më kritike në jetën e një foshnje është që me krijimin embrionit  dhe deri në moshën dy vjeçare.  Ajo që i ndodh fëmijës gjatë këtij intervali mund të shërbejë si parashikim për shëndetin në të ardhmen, thotë Robert Back, kreu i Departamentit  për Shëndetin Ndërkombëtar në Fakultetin e Shëndetit  Publik në Universitetin John Hopkins dhe autori kryesor i serisë së revistës Lancet. Ai përshkruan një gjendje pesimiste për foshnjat që kanë mangësi me vitaminat, që nuk janë ushqyer siç  duhet apo fare me qumësht  gjiri. Këta faktorë rrezikshmërie  janë përgjegjës për mbi një të tretën, në fakt 33% të vdekshmërisë foshnjore dhe 11% të barrës globale të sëmundjeve. Ekspertët thonë se problemet e shëndetit para lindjes, frenimi i rritjes, dhe kushte të tjera të këqija janë shkaktarë  të vdekjes së 2.2 milion fëmijëve nën 5 vjeç.

Edhe fëmijët që shpëtojnë nga sëmundje  që nuk kanë lidhje me të ushqyerit vuajnë në mënyra të tjera. Kequshqyerja shkakton frenim të zhvillimit  të trurit, dobësimin e aftësive njohëse, përparim më të ngadaltë në shkollë dhe të ardhura më të pakta ekonomike në të ardhmen.  Robert Back thotë se këta fëmijë janë të prirur që të vuajnë më pas nga tensioni i lartë, diabeti dhe sëmundjet e zemrës. Mesazhi kryesor këtu është se frenimi i zhvillimit në dy vitet e para të jetës shkakton pasoja të pariparueshme për jetën si të rritur. Dhe parandalimi i këtyre kushteve  të kequshqyerjes  së nënës dhe foshnjave do  ishte një investim afatgjatë në favor si të këtij brezi fëmijësh, ashtu edhe fëmijëve të tyre. Profesor Back thotë se programet e ushqimit duhet të përqendrohen më shumë  tek dy vitet e para  të jetës. Ai vë në dukje se në vendet që u morën nën shqyrtim për studimet e revistës  Lancet, kjo nuk ishte bërë. Kjo është përmbledhja e analizës më të saktë të kryer deri më tani, mbi efektet e zakoneve të ngrënies, në fillimin e sëmundjeve  kronike, pa marrë parasysh faktorin “peshë” domethënë, pavarësisht  faktit, nëse ata që ushqehen jo mirë janë mbipeshë.

Dieta e përsosur ushqimore?

Asnjë rajon i botës nuk është i përsosur, secili favorizon një përbërës apo një tjetër të një diete të shëndetshme,  në secilën prej  tyre mungon diçka. Megjithatë, hulumtimi është një përpjekje për të nxjerrë  në pah marrëdhënien ndërmjet  ushqimit  dhe shëndetit, pavarësisht  nga vendi i origjinës, gjinia, mosha dhe kushtet socio-ekonomike  edhe  pse faktori ekonomik është i rëndësishëm mbi mundësinë  e ndjekjes ose jo të një diete të caktuar ushqimore, që  të jetë jo vetëm e duhura, por në shumë  raste edhe e mjaftueshme për të mbijetuar.

Zgjedhje të gabuara

Kërkuesit analizuan  Studimin e Barrës Botërore  të Sëmundjeve, vlerësimi më i plotë i shkaqeve kryesore  të vdekjeve në botë, për të vlerësuar se sa shpesh zakonet e të ngrënit në vende të ndryshme të botës, po e reduktojnë jetëgjatësinë e njerëzve. Dieta e gabuar ushqimore ishte përgjegjëse në vitin 2018 për 10.9 milionë vdekje, 22% e të gjitha vdekjeve të njerëzve të rritur, sepse është në origjinë  të 3 shkaqeve  të rëndësishme të vdekjes, sëmundjet  kardiovaskulare (9.497.300 vdekje), dhe diabeti (338.700).

 

 Më pak vite të shëndetshme

Duhani shkaktoi të njëjtin vit 8 milionë vdekje, dhe presioni i lartë i gjakut 10.4 milionë vdekje. Dieta jo e shëndetshme, shkaktoi në total 255 milionë  vite jetë me probleme  shëndetësore. (pritshmëria totale e jetës me një aftësi të kufizuar), një indeks i rëndësisë  globale të një sëmundjeje, e cila vlerëson vitet e humbura të jetës të një njeriu, për shkak të aftësisë së kufizuar, ose vdekjen e parakohshme. Në praktikë, 17% e popullsisë, varet nga dieta e gabuar.

Çfarë bën dëm?

Faktorët ushqimorë që ndikojnë më shumë në shëndetin tonë, janë konsumi i pamjaftueshëm i drithërave integrale, mungesa e frutave, dhe konsumimi i lartë i natriumit, kripa ka efekt negativ në shëndetin kardiovaskular, drithërat  integrale,  frutat dhe perimet janë kardio protektive.
Këtu faji është edhe i konsumit  të tepërt të mishit të kuq apo të përpunuar, konsumi me bollëk i pijeve me sheqer dhe yndyra shtazore, si dhe nivelet e pakta të konsumit  të frutave të thata dhe farave (që mungojnë shumë në shumicën e dietave) që janë të pasura  me fibra bimore dhe omega-3 (yndyrat “e mira”, që janë të pranishme  tek peshku) Mes 20 vendeve më të populluara, Egjipti ka indekset më të larta të vdekjeve të lidhura me mënyrën e ushqyerjes (552 vdekje për 100.000 banorë) dhe Japonia më të ulëtin (97 vdekje për 100.000 banorë). Edhe vendet e zonës së Mesdheut, si Italia, Franca e Spanja, renditen mes vendeve më pak të rrezikuara (nga 0 në 50 vdekje për shkak të dietës së papërshtatshme ushqimore në 100.000 banorë)

Ushqyerja e shëndetshme në 11 hapa

Sigurimi i një ushqyerje të shëndetshme e të sigurtë  gjatë viteve të para të jetës ka përfitime për gjithë jetën. Kequshqyerja ndodh kur trupi nuk merr sasinë e nevojshme të energjisë (kalorive), proteinave, karbohidrateve, yndyrave  vitaminave  mineraleve dhe lëndëve të tjera të nevojshme për të mbajtur të shëndetshëm organizmin  për funksionimin e mirë të tij. Ndërsa mbiushqyerje konsiderohet kur një person është mbipeshë ose i dhjamosur. Kjo mund të shkaktojë diabet në fëmijëri dhe sëmundje të zemrës, të enëve të gjakut dhe sëmundje  të tjera në moshë  më të rritur. Ndodh shpesh që fëmijët të marrin sasi të mëdha të ushqimeve  hiperenergjike, por të varfra në elementët  e domosdoshëm ushqyes, p.sh pije të ëmbëlsuara artificialisht, ëmbëlsira, patate të skuqura, ushqime të shpejta (fast-food) etj. Në këto raste përmirësimi i dietës së fëmijës është i domosdoshëm dhe duhet  të shoqërohet  me shtimin e aktivitetit fizik.

Hapat e ushqyerjes së shëndetshme

Konsumo bukë, drithëra  oriz, ose patate disa herë në ditë.

Konsumo variete  zarzavatesh e frutash disa herë në ditë (së paku 400 gr në ditë), mundësisht  të freskëta e të prodhuara lokalisht.

Mbaj peshën trupore në limitet e rekomanduara (BMI te 20-252), duke mbajtur nivele të moderuara të aktivitetit fizik, çdo ditë.

Mbaj nën kontroll konsumin e yndyrave (jo me shumë se 30% të energjisë ditore).

Zëvendëso mishin me dhjamë dhe prodhimet e mishit me bizele, bishtajore  thierrza, peshk  pulë ose mish pa dhjamë.

Përdor qumësht  dhe nënproduktet e tij (qumësht , salcë kosi, kos dhe djathë) që kanë sasi të pakta yndyre dhe kripe.

Zgjidh ushqime që janë me përmbajtje të pakët sheqeri dhe konsumo sheqer të përpunuar dhe me kursim, duke limituar frekuencën e pijeve me sheqer dhe ëmbëlsirave.

Zgjidh një dietë me sasi të pakët kripe. Konsumi total i kripës nuk duhet të jetë më shumë se një lugë çaji (6 gr) në ditë, duke përfshirë kripën në bukë dhe ushqimet e konservuara e të përpunuara.

Jodizimi i kripës duhet të jetë universal, atje ku deficienca jodike është endemike

Përgatitni ushqimin në mënyrë të sigurt dhe higjienikisht  të pastër.

Promovoni ushqyerjen ekskluzive me gji dhe futjen e ushqimeve shtesë të sigurta në moshën rreth 6 muajsh, por jo më parë se 4 muajsh, ndërkohë që ushqyerja me gji të vazhdojë gjatë vitit të parë të jetës.

Author

Share