12% e fëmijëve 8-9 vjeç në Shqipëri janë mbipeshë

Author

Categories

Share

Treguesit shëndetësor të gjëndjes nutricionale për fëmijët 0-5 vjeç në Shqipëri janë përmirësuar në 10 vjeçarin e fundit, kryesisht sa i takon rënies domethënëse të numrit të fëmijëve nënpeshë, por po kthehet në shqetësim obeziteti tek fëmijët mbi 5 vjeç.
“Sipas studimit të fundit demografik dhe shëndetësor vërehet një rënie me 7% e numrit të fëmijëve mbipeshë të grupmoshës 0-5 vjeç në 10 vjeçarin e fundit, por ka një këmbanë alarmi për sa i takon mbipeshës dhe obezitetit tek fëmijët 8-9 vjeç. Sipas të dhënave të ISHP, 24% e tyre janë mbi peshë, prej të cilëve 12% janë obezë”, deklaroi Ministrja Manastirliu në fjalën e saj gjatë Forumit Shkencor mbi Shëndetin dhe Mirëqënien e Fëmijëve. Manastirliu u ndal në fjalën e saj edhe në treguesin e vdekshmërisë foshnjore.
“Treguesi i vdekshmërisë foshnjore, i konfirmuar nga publikimi i përbashkët i agjencive të UN dhe Bankës Botërore në 2018 tregon trendin në rënie vit pas viti të vdekshmërisë foshnjore në Shqipëri, duke kaluar nga vlerat dy shifrore, në ato një shifrore”, tha Manastirliu. Nisur nga të dhënat e studimit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se duhet ndërmarrë menjëherë një plan kombëtar për mirëushqyerjen tek fëmijët.
“Do të ndërmarrim një plan kombëtar veprimi me tre komponentë. Shëndetin e gruas shtatzënë, nxitjen e ushqyetjes me gji dhe mirëushqyerjen e fëmijëve”, tha Manastirliu.
Duke theksuar rëndësinë e mirërritjes së fëmijëve, përmes ofrimit të mundësive për një ushqim të shëndetshëm, Manastirliu u ndal tek nxitja e kulturës të sjelljeve të shëndetshme që në vogëli. “Ndryshimi i menuve në çerdhe dhe kopshte që u zbatua në Tiranë, do të shtrihet në të gjithë vendin, sepse mirëushqyerja që në vogëli duhet të jetë prioritet kombëtar”, tha Manastirliu. Studimi i fundit demografik dhe shëndetësor (ADHS) tregon qartë se në 10 vjeçarin e fundit ka tregues të përmirësuar të gjëndjes nutricionale të fëmijëve 0-5 vjeç. Aktualisht vetëm 11% e fëmijëve janë të shkurtër për moshën krahasuar me 19% që raportohej 10 vite më parë.  Sipas studimit, vetëm 2% janë të dobët për gjatësinë e tyre krahasuar me 9% që raportohej në 2008. Nga ana tjetër, ka një rënie me 3% të numrit të fëmijëve nënpeshë, një tregues i progresit socio-
ekonomik të vendit.

Pasojat shëndetësore tek fëmijët me mbipeshë
Obeziteti tek fëmijët por edhe në të gjitha moshat, sot konsiderohet një faktor i madh rreziku për shëndetin duke rritur propabilitetin e sëmundjeve të ndryshme dhe duke ulur jetëgjatësinë e një individi.

Shqetësimet për shëndetin janë të shumta:
 Rritet rreziku potencial për sëmundjet kardiovaskulare (koronaret, infarkti …);
 Rritet rreziku potencial për sëmundje malinje.
 Rrezik potencial për rritje të tensionit arterial.
 Diabeti.
 Rriten mundësitë reale për probleme të traktit respirator.
 Çrregullime të gjumit.
 Probleme psikologjike dhe sociale.
Pasojat psikologjike
Përveç problemeve shëndetësore, disa nga pasojat e obezitetit lidhen me problemet psiko-
emocionale që kanë fëmijët obezë, si kompleksi i inferioritetit e në raste më të rënda, depresioni (sidomos tek femrat). Në disa raste klinike që i trajtohen në këto mosha, sidomos tek adoleshentët shihen qartë shenjat e depresionit si: mbyllja në vetvete, largim nga shoqërimi me të tjerët, pesimizmi, ngecje në sukseset në shkollë apo angazhime tjera.

Si ta ndihmojmë një fëmijë me mbipeshë?
Nëse keni një fëmijë mbipeshë, është e rëndësishme t’i tregoni që e doni atë ashtu siç është dhe do ta mbështesni në çdo gjë. Duhet të kuptoni se procesi i humbjes në peshë është mjaft i vështirë dhe kërkon kohë dhe mund. Nuk do jetë e lehtë t’i ndërroni veset që mund të ketë krijuar në mënyrën e jetesës. Është mjaft e vështirë të luftoni kundrejt dashurisë që fëmija juaj gëzon për çokollata apo ëmbëlsira në përgjithësi. Nuk ka zgjidhje me shkop magjik dhe dieta të shpejta, por konsultim të ngushtë me pediatrin tuaj për të parë gjëndjen e përgjithshme dhe duke evituar shkaqet organike. Pediatri pas shikimit të përgjithshëm të gjendjes dhe analizave laboratorike, do e vlerësoj nevojën e fëmijës për trajtim subspecialistik – dietologjik. Nga konsultimi me mjek -dietolog do keni një plan të
detajuar me hapat dhe synimet për humbje peshe në mënyrë të shëndetshme dhe pa pasoja për fëmijën tuaj.


Hapat që duhet të ndërmerren janë:
Prindërit duhet të fokusohen në një ndryshim të ngadaltë të zakoneve të ushqyerjes në të gjithë familjen. Duke përfshirë gjithë familjen, çdo pjesëtar mëson zakonet e shëndetshme dhe fëmija mbipeshë nuk ndihet i mënjanuar me dieta dhe rregulla të krijuara veçanërisht për të. Mjeku dijetolog mund të ofroj një plan të detajuar me hapat përkatës. Është shumë e rëndësishme të flisni me fëmijën rreth peshës së tij, duke lejuar të ndajë me ju shqetësimet që fëmija ka. Komunikoni haptazi dhe bëhuni miq më fëmijën tënd. Edukimi i fëmijëve dhe konsumimi i ushqimit të shëndetshëm, mbetet sfidë që prindërit nuk mund ta anashkalojnë në emër të dashurisë dhe dhembshurisë për fëmijën.
Mos e tejkaloni asnjëherë mëngjesin për fëmijën tuaj. Një ditë e re, duhet të fillojë gjithmonë me ngrënien e mëngjesit. Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës. Pas gjumit të natës, mëngjesi është mjet i përsosur për të filluar metabolizmin
dhe sigurimin e energjisë për vijueshmërinë normale të ditës. Hapi i parë për një jetë të
shëndetshme dhe humbje në peshë, është ngrënia e mëngjesit çdo ditë.
Shpeshtojeni përdorimin e frutave dhe perimeve të freskëta. Këto sigurojnë një përqendrim të lartë të fibrave, fitonutrientëve, vitaminave mineraleve, të cilat janë antioksidantë të fuqishëm si dhe reduktojnë efektin e dëmshëm të radikaleve të lira në trupin
tonë.

Jepni fëmijës tuaj edhe vakte të ndërmjetme
Një plan dietologjik me tre vakte kryesore dhe dy të ndërmjetme, është një alternativë shumë e suksesshme për shëndetin tuaj.

Aktivitetet fizike të vazhdueshme
Është e nevojshme që së bashku me fëmijën tuaj të ecni 40 – 60 minuta çdo ditë. Ndihmojeni e nxiteni në lojëra që kanë nevojë për aktivitet fizik çdo ditë.
Uji
Nxiteni fëmijën tuaj të përdorë sasi të mjaftueshme uji 1 -1.5 litra në 24 orë. Evitoni në mënyrë absolute pijet e gazuara dhe lëngjet e gatshme, pasi ata përmbajnë sasi të mëdha sheqeri. Mund të përdorni çaja të ndryshme por pa sheqer.

Ushqimet që duhet të evitoni
Evitoni përdorimin e miellit të bardhë, ëmbëlsirave dhe sheqerit të rafinuar. Përdorni më shpesh e mishin e bardhë, e sidomos shtojeni përdorimin e mishit të peshkut së paku 2 herë në javë.

Gjumi
Koha për në gjumë le të jetë e rregullt dhe ia mundësoni fëmijës të ketë së paku 7 – 8 orë gjumë. Kufizoni kohën që fëmija mund të kalojë pranë internetit ose në teknologjisë informative.

Author

Share