ISHP paralajmëron qytetarët për virusin e gripit të syrit

Author

Categories

Share

Instituti i Shëndetit Publik paralajmëron qytetarët për një virus të ri që qarkullon këtë verë në vendin tonë.  Virusi i gripit të syrit është i formës agresive dhe shenjat e tij fillojnë dy javë pas prekjes. Sipas ISHP ky virus është ngjitës dhe transmetohet  përmes kontakteve me duart dhe sendet e ndryshme. Ai mund të transmetohet dhe me anë të ajrit, duarve  peshqirëve  apo këllëfit të jastëkut. Instituti i Shëndetit  Publik bën me dije se mjediset më të përshtatshme për t’u përhapur ky virus janë plazhet apo pishinat. Simptomat e këtij virusi janë sytë e fryrë, të skuqur dhe vështirësi në shikim deri në mbyllje të syrit. ISHP iu bën thirrje qytetarëve të mos i neglizhojnë këto simptoma pasi virusi mund të shkaktojë komplikacione të rënda.

Ku ndodh më shpesh?

Transmetimi kryesor është nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë të gishtave me sytë. Zakonisht  sytë preken me duar në mënyrë të pavullnetshme rreth 14 herë në ditë. Kjo ndodh më tepër tek fëmijët dhe  gjatë përdorimit të produkteve kozmetike. Ky virus është mjaft rezistent dhe qëndron gjatë në mjediset që nuk pastrohen dhe dezinfektohen. Mjediset e ndotura me këtë virus, peshqirët, këllëfët e jastëkëve të ndotur apo shtrëngimi i duarve, mund të bëhen shkak për transmetimin e virusit. Gjithashtu ai përhapet nëpërmjet ajrit  gjatë kollitjes apo teshtitjes. Virusi mund të gjendet kudo, por kryesisht  mund të transmetohet  në pishina, në vende ku kryhet make-up apo në institucione të kujdesit  shëndetësor nga duart e personelit.

Shenjat kryesore janë:

  • Skuqje e të bardhës së syrit
    · Enjtje e kapakëve të syrit apo konjuktivës
    · Lotim i vazhdueshëm i shtuar
    · Shqetësim nga drita
    · Ndjesi e një trupi të huaj në sy apo ndjesi për ta fërkuar syrin
    · Kruarje, irritim apo djegie e syrit
    · Krusta në kapakët e syrit apo qerpikë
    · Personat që përdorin lente kontakti nuk mund t’i mbajnë ato pasi nuk ndihen mirë

Si parandalohet:

Lani duart në mënyrë të vazhdueshme me ujë dhe sapun, dhe mësoni fëmijët të bëjnë të njëjtën gjë

Kontrolloni nëse keni dikë me këtë sëmundje, lani duart menjëherë pas kontaktit me të, dezinfektoni me produkte që përmbajnë  klor sipërfaqet e prekura prej tij apo lani menjëherë me ujë të nxehtë dhe dezinfektantë sendet apo veshjet e prekura prej tij.

Mos prekni sytë dhe mos i fërkoni ato kur jeni të sëmurë me këtë infeksion. Fërkimi i syrit përkeqëson gjëndjen dhe  përhap atë edhe në syrin tjetër.

Mënjanoni  përdorimin e sendeve personale si peshqirët, këllëfët e jastëkëve apo çarçafët dhe batanijet, produktet kozmetike sidomos ato që përdoren për sytë, syzet etj.

Mos përdorni lente kontakti kur keni shenja të këtij infeksioni derisa t’u thotë mjeku.

Mos përdorni të njëjtin produkt (medikamentet në pika apo pomadat) për syrin e shëndetshëm. Pra, kur mjekoni syrin e sëmurë, për të vendosur pikat ose pomadën tek syri tjetër lani mirë duart dhe përdorni një pomade apo solucion tjetër, pavarësisht se lloji i produktit është i njëjtë.
Pastroni mjediset publike dhe ato spitalore me dezinfektantë që përmbajnë klor, dhe kjo të kryhet vazhdimisht.

 

 

Author

Share