Efektet mjekuese të barit të bletës

Author

Categories

Share

Bari i bletës (lat. Melissaofficinalis, ndërsa emërtimi popullor: milcë, mickël, pselik, spelinak), pjesë e familjes së mentes, cilësohet si një erëz qetësuese. Ajo është përdorur që në Mesjetë për të trajtuar ankthin dhe stresin, lehtëson dhimbjet dhe parehatitë e shkaktuara nga tretja (përfshirë gazrat, fryrja e barkut dhe koliti). Edhe para Mesjetës bari i bletës është përdorur për të shëruar plagët dhe trajtuar kafshimet helmuese të insekteve dhe kafshëve të ndryshme. Tani ajo përdoret së bashku me bimë të tjera, si kamomili, sanëza etj, për t’u relaksuar. Bari i bletës përdoret shpesh edhe tek kremrat që trajtojnë herpesat në gojë, të shkaktuara nga ftohja dhe gripi. Bimët barishtore njëvjeçare, me gjethe vezake, me push e me aromë të mirë, me lule ngjyrë trëndafili ose të bardha, përdoren për të mbledhur bletën kur vozit milcë, lule limoni. Lulëzon verës në muajt qershor-gusht. Gjethet e saj janë të ngjashme me ato të mentes, duke qenë se vijnë nga e njëjta familje.

 Efektet

Pagjumësi dhe ankth

Studime të ndryshme kanë treguar se bari i bletës i kombinuar me bimë të tjera ndihmon në lehtësimin e ankthit dhe lufton pagjumësinë. Gjatë një studimi të kryer tek disa njerëz që vuanin nga probleme të vogla me gjumin, 81% e atyre që përdorën një përzierje bimore me bar blete bënë një gjumë më të rehatshëm se personat e tjerë që morën hapa të tjera në mjekim. Nuk dihet cila nga këto bimë është më efikase, apo nëse sekreti qëndron tek kombinimi i tyre. I njëjti përfundim është arritur edhe tek disa studime të kryera për ankthin, ku janë përdorur një kombinim bimësh për lehtësimin e simptomave.

Qartësi mendore, përqëndrim dhe qetësim

Bari i bletës përdoret gjerësisht kundër ankthit, stresit dhe pagjumësisë. Pak kohë më parë, një studim arriti në konkluzionin se bari i bletës rrit përqëndrimin dhe qartësinë mendore.

Ndihmon në studim dhe provime

Një studim i Universitetit Northumbria në Britaninë e Madhe tregoi se nxënësit që konsumojnë barin e bletës arrinin rezultate më të mira për  6 orë pas konsumimit të barishtes. Kjo e fundit i bënte ata më të qetë dhe largonte stresin gjatë provimit.

Kundër herpesit dhe virozave

Studimet kanë treguar se bari i bletës përmban substanca që ndihmojnë ndjeshëm trajtimin e virozave dhe viruseve që shkaktojnë çrregullime siç është herpesi. Sipas studimeve, bari i bletës ose kremërat që e kanë atë në përmbajtje shkurtojnë ‘jetëgjatësinë’ e herpesit dhe zbusin ashpërsinë e tij.

Përdorime të tjera

Disa të dhëna sugjerojnë se bari i bletës, i përzier me erëza të tjera, mund të ndihmojë në lehtësimin e tretjes. Të tjera tregojnë se vaji i barit të bletës ka një shkallë të lartë të aktivitetit antibakterial. Studimet kanë vërtetuar gjithashtu se bari i bletës mund të ndihmojë edhe në përmirësimin e funksionin njohës dhe lehtësimin e ankthit dhe nervozizmit.

Çaji i barit të Bletës

Mjaft nga vetitë e barit të bletës përfitohen në formën e çajit duke përdorur gjethe të njoma ose të thata. Një grusht me gjethe zihen për 12 minuta bashkë me 300 ml ujë. Filtrojeni dhe lëngut mund t’i shtoni pak mjaltë dhe mund të pini 2-3 herë në ditë.

 Format e disponueshme

Mund t’i gjeni gjethet e thara të barit të bletës tek kabineti i bimëve. Kjo bimë shitet gjithashtu edhe si çaj, dhe në kapsula, ekstrakte, vajra, tinkturë dhe në kremra të ndryshme.

Alzheimer dhe Skleroza

Bari i bletës përmban vajra esencialë dhe substanca që kanë aftësi qetësuese tek njeriu. Studimet tek njerëzit kanë treguar, nëse bari i bletës merret nga goja ka efekt shumë qetësues. Në doza të larta, bari i bletës të vë në gjumë. Studime të tjera kanë treguar se bari i bletës përmirëson kujtesën dhe rrit vëmendjen tek individët të cilët vuajnë nga sëmundja e Alzheimer-it. Kjo ndodh falë përmbajtjes së lartë të antioksidantëve që mendohet të mbrojnë qelizat e trupit nga dëmet e shkaktuara përgjatë një procesi kimik të quajtur ‘oksidim’.

Author

Share