Dr. Klodiana Zaharia: Nuhatja, rëndësia e kësaj shqise mbijetese

Author

Categories

Share

Si të gjitha shqisat edhe nuhatja është pjesë shumë e rëndësishme e jetës tonë.Të nuhaturit shërben  shpesh si sinjali i parë i kujdesit dhe alarmit, p.sh. në rastin e  tymit të një zjarri, ushqimit të prishur, rrjedhje gazi, apo tymi të rrezikshëm.  Por, të nuhaturit na jep kënaqesinë e madhe të shijimit të ushqimit dhe aromës së tij, në këtë aftësi është zhvilluar kulinaria dhe degustimi, si pjesë e pandar e paketave turistike.

Të nuhaturit e aromave të  këndeshme të luleve e parfumeve të markuara ( industria e kozmetikës, nga me fitimpruseset, mbështet shitjet e saj në baze të shijeve të nuhatjes, duhet të pranojme “të nuhaturit” është në edukim të vazhdueshëm)!

Po ashtu efekti i feromoneve ( molekula proteinike që përhapen në ajër në trajtën e  aromës personale), është përcaktues në sjelljen tonë, sidomos në cift. Puthja ndodh në të gjitha llojet e kulturave humane dhe është një nga mënyrat e transmetimit të ferormoneve personale e identifikuese. Mendohet dhe është vërtetuar tashmë se dhe nëna, në castin e parë që merr fëmijën në krahë , duke e puthur i transmeton atij ferormonet e veta, duke vendosur kështu një lidhje tejet të fortë e të pathyeshme. Bebushkat e sapo lindura ndjekin vetëm me anë të shqisës së nuhatjes gjirin e nënës, duke njohur odorantin unik të nënes së tyre,  që i con drejt ushqyerjes së shëndetshme me qumështin e saj.

Ulja e aftësisë nuhatjes automatikisht con në ulje të lidhjeve emocionale

mbrojmë nuhatjen!!!

Kjo shqisë është  ajo që bie e para në kontakt me ferormonet… e realizon lidhjen kimike dhe bën të gjejmë partnerin ideal. Mjeku otorinolaringolog ballafaqohet cdo ditë me problemet e shqisave, por humbjen e të nuhaturit e has shpesh edhe nje mjek neurolog apo alergolog.

 Humbja e nuhatjes, shkon paralel me plakjen, apo mund të ketë shkaqe të tjera?

Humbja e pjesshme e nuhatjes shkon  natyralisht  me mplakjen, sidomos pas të gjashtëdhjetave. Ky lloj problemi quhet prebiosmia dhe është vështirë të parandalohet. Ka dhe faktor të tjerë që mund të ndikojnë në uljen e të nuhaturit si:

  • Probleme të hundës dhe sinuseve, alegjitë e ndryshme, sinuziti, apo polipet nazale
  • Disa medikamente ku hyjne beta-bllokuesit apo ACE
  • Higjena e dobët e gojës e dhëmbëve
  • Duhanpirja
  • Trauma e kokës apo fytyrës
  • Morbus Alzheimer
  • Sëmundja e Parkinsonit
  • Crregullime hormonale
  • Rrezatim i kokës dhe qafës në sëmundje të ndryshme tumorale.

Humbja e nuhatjes dhe shijes mund të ketë rol kyc në cilësinë e jetës dhe shpesh con në ulje të oreksit dhe nënushqyerje. Ka raste kur humbja e të nuhaturit con në depresion. Madje, në disa raste është vënë re se personat ekzagjerojnë përdorimin e kripës ose sheqerit, në mënyrë për ta shijuar më tepër ushqimin, gjë e cila rrit problemet tek pacientët me tension të lartë ose me diabet.

Megjithëse humbja e nuhatjes tek të moshuarit është vështirë  të trajtohet, disa raste të tjera mund të trajtohen fare mirë. Pra nëse keni humbje të të nuhaturit, konsultohuni  me doktorin tuaj!! P.sh ai mund të bëjë ndryshime në skemën e mjekimit, n.q.s medikamentet janë shkaku i uljes së nuhatjes. Po ashtu shumë gjëndje të hundës dhe sinuseve janë të trajtueshme dhe me rezultate shumë të kënaqëshme. p.sh. rritja e kujdesit për gojën dhe higjena adekuate dentare. Po ashtu, është parë se tymi i duhanit ul aftësinë e prezantimit të odoranteve me mukozën olfaktore, ndaj dhe ulja e numrit të konsumit të cigareve  përmirëson  nuhatjen. Trajtimi korrekt i polipeve nazale, të cilët bllokojnë mekanikisht mukozën olfaktore dhe nuk lejojnë odorantet të shkojnë aty, sjell përmirësim të dukshëm të nuhatjes. Evitimi maksimal i allergeneve shkaktare të kongjestionit nazal rrit ndjeshmërinë e mukozës së hundës ndaj odoranteve. Ekspozimi për kohë të gjatë ndaj disa lëndëve kimike si, insecticide apo solventeve të ndryshëm sjell dëmtime të përhershme të të nuhaturit.

Testet për crregullimet e nuhatjes

Testi më i shpeshtë është “gërvisht e nuhat”,  i cili përcakton sa odorante të ndryshëm mund të zbulojë pacienti nga një listë prej 20 mundësish..

Kemi disa crregullime si

-ulje e nuhajtes- hiposmia

-zhdukja e nuhatjes – anosmia

-ndijim ererash inekzistente-disosmia

Shumë persona rigjenerojnë nuhatjen me kalimin e sëmundjes që e shkaktoi

Hapa që duhen ndjekur në rast rënie të nuhatjes:

  1. Nëse je në fazë gripale, prit disa ditë, përdor lagështues të ajrit dhe preparate antigrip.
  2. Ul konsumin e cigareve, ose lëre fare.
  3. Evito ambjentet me pluhura, solvente, e kimikate.
  4. Përdor dekongjestionante të hundës për 3 deri 4 ditë dhe integratore alimentare me bazë gingo biloba.
  5. Nëse nuk ndiheni mirë pas 5 ditësh të crregullimit të nuhatjes, kërko ndihmën e mjekut specialist otorinolaringolog.

 

Dr.Klodiana Zaharia. Mjeke Otorhinolaringologe. Poliklinika Qendrore.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Author

Share